“Liria ka emër”: Qeveritë shqiptare të mbajnë mbledhje të përbashkët urgjente
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka bërë thirrje që të mbahet një mbledhje urgjente në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Sipas tij, kjo mbledhje duhet të mbahet vetëm me një pikë të rendit të ditës: mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit të nevojshëm për mbrojtjen juridike.
“Koha e deklaratave ka kaluar, tash është koha e veprimeve, dhe të gjithë duhet ta dimë që kohën e kemi të shkurtër. Nuk kemi më kohë për lojëra politike të tekeve elektorale, duhet të jemi bashkë dhe shumë serioz. Këtu dua ta kujtojmë edhe një mesazh që erdhi nga Shqipëria, ku u miratua deklarata për Kosovën, Elisa Spiropali ngriti nevojën për krijimin e një fondi të përbashkët për mbrojtjen. Prandaj sot bëjmë thirrje që urgjentisht të thirret një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe e Qeverisë së Shqipërisë me vetëm një rend të pikës së ditës, mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit të nevojshëm për mbrojtjen juridike”, tha Tasholli.



