Behxhet Shala: Vetëm Aleanca dhe Ardian Gjini po bëjnë opozitë përnjëmend
Analisti politik Behxhet Shala ka kritikuar subjektet opozitare për qasjen e tyre ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke vlerësuar se PDK-ja dhe LDK-ja po ndjekin interesa të ndryshme në raport me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një opinion për gazetën “Epoka e Re”, Shala ka thënë se PDK-ja “e ka humbur busullën dhe baraspeshën politike dhe logjike”, duke kritikuar mundësinë e një marrëveshjeje me LV-në për çështje të ndryshme.
Sipas tij, PDK-ja po përballet me një situatë ku, në njërën anë, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështje për shkelje të Kushtetutës nga LV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa, në anën tjetër, mund të negociojë me të njëjtën palë.
“Unë i tërheq kërkesat për shkelje të Kushtetutës, ti ma voton ligjin që nuk prodhon asnjë efekt juridik apo praktik. Tregti e pamoralshme dhe e ndyrë!”, ka shkruar Shala.
Ai ka kritikuar edhe LDK-në, duke thënë se kjo parti synon që LV-ja t’ia votojë Anton Qunin për president.
“LDK-ja do që LV-ja t’ua votojë ‘Jack Smithin’ e LDK-së – Anton Qunin për president dhe këtu mbaron puna!”, ka deklaruar Shala.
Ndërkaq, sipas tij, vetëm Aleanca dhe Ardian Gjini janë duke bërë opozitë “përnjëmend”.
Shala ka renditur edhe dy çështje për të cilat, sipas tij, PDK-ja duhet të insistojë në raport me ish-krerët e UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“1. Të ndahen mjetet e domosdoshme për ankimim në Gjykatën e Apelit dhe 2. Të intensifikohet lobimi te shtetet e BE-së dhe SHBA-ja për gjykimin kriminal në Hagë”, ka shkruar ai.
Në fund, Shala ka vlerësuar se çdo angazhim tjetër përtej këtyre çështjeve është “humbje kohe”.
Opinioni i plotë 👇



