Kurti nga ShBA-ja: Shqetësuese dënimet e rënda për ish-krerët e UÇK-së, Apeli t’i korrigjojë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur çështjen e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë një takimi në ShBA me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Kurti ka deklaruar se ka shprehur shqetësimin e tij për dënimet që i konsideron të rënda dhe të padrejta, duke theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se pret që çështjet e ngritura të trajtohen në fazën e apelit.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, gjatë takimit janë diskutuar edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.
Kryeministri ka thënë se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.
Në takim, sipas tij, janë diskutuar gjithashtu anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.



