Nata e tetë me radhë: Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë mbushet sërish me qytetarë në mbrojtje të UÇK-së
Sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet ka nisur të mbushet edhe këtë mbrëmje me qindra e mijëra qytetarë, teksa protesta kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë hyn në natën e saj të tetë radhazi.
Që nga ora 21:00, qytetarë nga mosha dhe shtresa të ndryshme shoqërore kanë filluar të tubohen nën moton “Jo në emrin tim”, protestë e organizuar nga Çlirim Haziri, i cili prej fillimit të tubimeve ka qëndruar organizatori kryesor i protestave në sheshin “Skënderbeu”. Për shtatë net me radhë, mijëra qytetarë ishin mbledhur në shesh, ndërsa organizatori ka ftuar sërish qytetarët që t’i bashkohen protestës edhe sonte.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një pjesëmarrje mbresëlënëse: sheshi është përplot me protestues, që mbajnë pankarta, flamuj dhe simbole të fushatës kundër aktgjykimit. Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, si dhe flamuj kombëtarë, të UÇK-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Protesta vjen si vazhdimësi e valës së pakënaqësisë që ka përfshirë kryeqytetin që nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Solidariteti me protestën në Prishtinë nuk ka mbetur vetëm brenda kufijve të Kosovës. Protesta në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara janë zhvilluar ditëve të fundit edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri, duke treguar shtrirjen e gjerë të revoltës edhe në diasporë.
Deri në këto orë, sheshi vazhdon të mbushet me qytetarë të cilët këmbëngulin se do të vazhdojnë të dalin çdo mbrëmje derisa të dëgjohet zëri i tyre, duke e bërë edhe këtë natë një nga tubimet më të mëdha të javëve të fundit në qendër të Prishtinës.




