BQK-ja forcon bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Kroacisë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë

25 shtator 2026 | 12:21

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, u takua me ekspertët e Bankës Kombëtare të Kroacisë, Renata Pustijanac, Këshilltare e Lartë dhe Iva Bezik, Këshilltare në Departamentin për Rregullimin e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Edukimin Financiar, në kuadër të misionit të parë dypalësh të ekspertëve për Mbrojtjen e Konsumatorëve Financiarë dhe Edukimin Financiar.

Misioni u zhvillua në BQK nga 22 deri më 24 shtator 2026, në kuadër të Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, Faza III.

Ai pasoi kërkesën e BQK-së dhe marrëveshjen e ndërsjellë me Bankën Kombëtare të Kroacisë.

Në fillim të misionit, zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku-Shala diskutoi aspektet kryesore të projektit, si dhe ecurinë e tij në përputhje me fazat e planifikuara.

Vizita përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kornizës mbikëqyrëse të BQK-së për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, mbikëqyrjen e sjelljes në treg dhe edukimin financiar, duke mbështetur harmonizimin e vazhdueshëm të institucionit me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Gjatë misionit, palët diskutuan kornizën rregullative, mbikëqyrëse dhe institucionale për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe mbikëqyrjen e sjelljes në treg.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit financiar, trajtimit të ankesave, kërkesave për raportim, cilësisë së të dhënave, procedurave mbikëqyrëse dhe zhvillimit të një qasjeje të bazuar në rrezik për mbikëqyrjen e sjelljes në treg.

Në këtë kontekst, guvernatori Ismaili theksoi se mbrojtja e konsumatorëve financiarë, transparenca e tregut dhe besimi i publikut në sistemin financiar mbeten prioritete strategjike për BQK-në.

Ai nënvizoi se forcimi i mbikëqyrjes së sjelljes në treg, përmirësimi i përdorimit të të dhënave mbikëqyrëse dhe sigurimi i trajtimit të drejtë dhe transparent të konsumatorëve janë komponentë thelbësorë të një kornize moderne dhe efektive mbikëqyrëse.

“Mbrojtja e konsumatorëve financiarë është thelbësore për ruajtjen e besimit në sektorin financiar. Përmes zhvillimit të mëtejshëm të kornizës sonë rregullative dhe mbikëqyrëse, synojmë të sigurojmë transparencë më të madhe, praktika të përgjegjshme të tregut dhe mekanizma efektivë për adresimin e shqetësimeve të konsumatorëve. Përvoja dhe mbështetja e Bankës Kombëtare të Kroacisë japin një kontribut të rëndësishëm në këtë proces dhe në harmonizimin tonë gradual me standardet dhe praktikat evropiane”, ka deklaruar guvernatori Ismaili.

Përfaqësueset e Bankës Kombëtare të Kroacisë prezantuan përvojën e tyre në mbikëqyrjen e sjelljes në treg, monitorimin e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë, trajtimin e ankesave dhe edukimin financiar.

Diskutimet përfshinë gjithashtu mbledhjen dhe vlerësimin e të dhënave, proceset e mbikëqyrjes nga distanca dhe në terren, si dhe përdorimin e mjeteve mbikëqyrëse për identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të sjelljes në treg.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje ndaj Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe ekspertëve të saj për mbështetjen profesionale dhe bashkëpunimin konstruktiv.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për shndërrimin e rekomandimeve të misionit në përmirësime konkrete në procedurat mbikëqyrëse, raportim, analizë të rrezikut, përdorim të të dhënave dhe mbrojtje të konsumatorëve financiarë.

Ky bashkëpunim dypalësh forcon kapacitetet institucionale dhe mbikëqyrëse të BQK-së, mbështet harmonizimin e saj të vazhdueshëm me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, me ç’rast BQK-ja shpreh mirënjohjen e saj për mbështetjen e ofruar përmes këtij kuadri të rëndësishëm bashkëpunimi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kanë kaluar 12 vite nga aksidenti i rëndë që ndryshoi…