Plepolli u bën thirrje talenteve kosovarë: “Hajdeni në Kosovë, si mbretër kemi me ju mbajtë – mos e zgjidhni Zvicrën” (Video)
Ish-futbollisti dhe analisti sportiv, Arsim Plepolli, u ka bërë thirrje futbollistëve të rinj me prejardhje nga Kosova, veçanërisht atyre që jetojnë dhe luajnë në Zvicër, që në të ardhmen të zgjedhin fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Plepolli, duke folur në emisionin “Favorit”, ka komentuar edhe rastin e fundit të kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke thënë se futbollistët me prejardhje të huaj nuk trajtohen gjithmonë siç duhet në kombëtaret ku luajnë.
Ai e ka marrë si shembull edhe ish-yllin e Gjermanisë, Mesut Özil, duke theksuar se futbollistët me prejardhje nga emigrantët shpesh përballen me kritika të ndryshme.
“A e dini rastin e Mesut Özilit? Thoshte: kur luaja mirë për Gjermaninë, më thoshin gjerman, e kur humbnim, më thoshin turk. Edhe këta, po të mos ishin Shaqiri e Xhaka, për besë Zvicra do të kishte mbetur në një nivel shumë të ulët”, ka deklaruar Plepolli.
Ai më pas u ka bërë thirrje të rinjve kosovarë në diasporë që ta konsiderojnë Kosovën si zgjedhjen e tyre në arenën ndërkombëtare.
“Por çka është më e keqja, po i trajtojnë keq. Nëse ka gabuar djali, e ka pranuar fajin, dhe ti në vend që të dalësh e ta mbrosh kapitenin, këta shkojnë e thonë ‘zi e terr’ për të. Ky është një mësim për rininë që jeton në Zvicër”, tha ai.
“O djem, hajdeni në Kosovë, se si mbret kemi me ju mbajtë. Mos rrini në Zvicër, por hajdeni në Kosovë”, përfundoi Plepolli.



