Prishtina themelon Ndërmarrjen Komunale ‘Pastrimi’, Rama: Një kapitull i ri fillon sot
Kuvendi i Prishtinës ka votuar themelimin e Ndërmarrjes Komunale “Pastrimi”, një ndërmarrje e re që do të menaxhojë shërbimet e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë vendim si një prej vendimeve më të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.
Sipas Ramës, Prishtina po kalon nga një kompani rajonale, e cila ka menaxhuar shërbimin për gjashtë komuna, në një ndërmarrje të vetën komunale.
“Prishtina po kalon në ndërmarrje të vetën, të Kryeqytetit, për Kryeqytetin dhe në shërbim të qytetarëve të tij”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai ka theksuar se themelimi i ndërmarrjes përbën fillimin e një sistemi të ri, ku Prishtina do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për planifikimin, investimet dhe rritjen e kapaciteteve në fushën e pastërtisë.
“Themelimi i kësaj ndërmarrjeje është fillimi i një sistemi të ri. Një sistem ku Prishtina planifikon vetë, investon vetë, rrit kapacitetet dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastërtinë e qytetit”, ka shkruar Rama.
Rama ka thënë se votimi i sotëm paraqet, sipas tij, një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, ndërsa ka falënderuar asambleistët që e kanë mbështetur vendimin.
“Sot u votua për një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet dhe falënderoj të gjithë asambleistët që votuan për!”, ka shkruar Rama.



