Agon Maliqi: Verdikti i Hagës ka prekur trashëgiminë e luftës së UÇK-së

28 shtator 2026 | 11:19

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve në Kosovë, Agon Maliqi, ka thënë se reagimet e qytetarëve pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së lidhen me perceptimin se verdikti ka prekur drejtpërdrejt trashëgiminë e luftës çlirimtare dhe historinë e Kosovës.

Në një deklaratë për “Radio Evropa e Lirë”, Maliqi ka thënë se debati pas aktgjykimit duhet të fokusohet te përgjegjësia individuale e personave për veprat për të cilat janë dënuar, dhe jo te krijimi i një narrative që e lidh tërë lidershipin e UÇK-së me motive kriminale.

“Duhet të pyesim sinqerisht: a janë të dënuarit ata që kanë qenë zbatuesit dhe urdhërdhënësit e veprave dhe a vendos ky lloj verdikti drejtësi?”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, aktgjykimi nuk ka sjellë drejtësi as për viktimat dhe as për të dënuarit, pasi, siç ka vlerësuar ai, përgjegjësia është atribuuar në nivelin komandues pa u individualizuar në secilin rast.

Maliqi ka theksuar se pikërisht kjo çështje duhet të jetë në qendër të debatit publik pas vendimit të Gjykatës Speciale.

“Debati duhet të rifokusohet te përgjegjësia individuale e atyre që i kanë bërë veprat, e jo duke ndërtuar një narrativë të motiveve kriminale të lidershipit të UÇK-së”, ka thënë ai.

Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator, ka dënuar Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, Rexhep Selimin me 13 vjet dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet, për krime lufte.

Të katër ish-krerët e UÇK-së janë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi është i shkallës së parë, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar ankesë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Akademiku britanik dhe profesori në Universitetin e Oxfordit, James Pettifer,…