Dalin në shitje biletat për ndeshjen Izrael-Kosovë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se ka nisur shitja e biletave për sektorin e tifozëve kosovarë për ndeshjen ndërmjet Izraelit dhe Kosovës.
Takimi do të zhvillohet më 1 tetor 2026 në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45, ndërsa dyert e stadiumit do të hapen në ora 19:15.
Tifozët e Kosovës do të jenë të vendosur në sektorin D3.
Gjatë procesit të blerjes së biletës, secili tifoz duhet të plotësojë me saktësi të dhënat personale dhe të identifikimit.
Sipas njoftimit të FFK-së, kërkohen: numri i letërnjoftimit ose pasaportës, fotografia e letërnjoftimit ose pasaportës, emri dhe mbiemri i plotë, saktësisht siç figuron në dokumentin identifikues, adresa e emailit dhe numri i telefonit.
FFK-ja ka paralajmëruar se të dhënat duhet të përputhen plotësisht me dokumentin identifikues. Tifozët që nuk i ofrojnë të dhënat e kërkuara në mënyrë të saktë, apo të dhënat e identifikimit të të cilëve nuk përputhen me regjistrimin e biletës, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.
Shitja e biletave për tifozët e Kosovës do të jetë e hapur deri më 30 shtator, në ora 20:00.



