‘Me Kosovën i dërgon mesazh Spallettit’, gazeta italiane shkruan për formën e Edon Zhegrovës
Gazeta e njohur italiane “Calciomercato” ka shkruar për sulmuesin e Kosovës, Edon Zhegrova, i cili ka shënuar në humbjen 3-1 ndaj Austrisë. Ylli i Juventusit ka hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë, ndërsa ka realizuar golin e vetëm për “Dardanët”, duke shënuar nga pika e bardhë.
Forma e mirë e Zhegrovës së fundmi ka tërhequr vëmendjen e mediave në Itali, me mediumin e lartpërmendur që ka shkruar se ai i ka dërguar një mesazh të qartë trajnerit Luciano Spalletti.
“Penalltia nuk e largoi humbjen nga Austria, por e konfirmoi formën e fortë të Edon Zhegrovës. Me këtë gol, ai ka arritur në tre gola dhe një asistim në gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni. Kjo është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm për Luciano Spallettin, i cili asnjëherë nuk arriti të mbështetej në versionin e tij më të mirë sezonin e kaluar”, ka shkruar mediumi italian.
“Calciomercato” ndër të tjera ka shtuar se tani Zhegrova do të garojë me Francisco Conceicaon për një vend në formacionin titullar. “Ai tashmë mund të ketë një rol më të rëndësishëm në rotacionin e Juventusit, duke pasur vetëm dy kompeticione për të garuar me bashkëlojtarët (Serie A dhe Kupën e Italisë). Me formacionin 4-2-3-1 që përdor Luciano Spalletti, kosovari është kandidat për pozitën e Conceicaos në krahun e djathtë”, ka shkruar “Calciomercato”.
Ndërkohë, Zhegrova është i fokusuar te Kosova, ku të enjten do të përballet me Izraelin në Hungari.



