“Dardanët” në Hungari, nisin përgatitjet për ndeshjen kundër Izraelit
Vetëm një ditë pas humbjes kundër Austrisë, Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës. “Dardanët” janë rikthyer sot në fushë në Debrecen të Hungarisë, ku po bëhen gati për ndeshjen ndaj Izraelit.
Në seancën e sotme stërvitore kanë marrë pjesë futbollistët që nuk e kanë nisur ndeshjen ndaj Austrisë nga minuta e parë. Ndërkohë, lojtarët që kanë qenë titullarë në përballjen e mbrëmshme kanë ndjekur një program të veçantë rigjenerues në palestër.
Me ndeshjen ndaj Austrisë tashmë pas krahëve, fokusi i përfaqësueses së Kosovës është zhvendosur te sfida me Izraelin, e cila do të zhvillohet të enjten në Hungari.
Stafi teknik dhe futbollistët synojnë t’i shfrytëzojnë ditët në dispozicion për t’u përgatitur sa më mirë për këtë përballje dhe për të vazhduar me angazhimin në ndeshjet e ardhshme.



