Dënimi i çlirimtarëve, Haradinaj: Kuvendi t’i bashkohet zërit të shqiptarëve
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, është deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit, ku pritet të miratohet deklarata e përbashkët lidhur me vendimin e Hagës.
Duke folur për vendimin ndaj udhëheqësve të UÇK-së, Haradinaj e ka cilësuar atë të papranueshëm dhe ka kërkuar që Kuvendi t’i bashkohet zërit të qytetarëve.
“UÇK ka bërë luftë çlirimtare, pra nuk është në emrin tim e as në emrin tonë. Pra Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë edhe nëse nuk i krijon institucionet, e që t’i bashkohet zërit të qytetarëve”, ka thënë ai.
“Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje realisht, por do të ishte e turpshme që t’i lëmë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën për me u bë bashkë me popullin, zërin e shqiptarëve”, ka shtuar Haradinaj.
I pyetur për çështjen e presidentit, Haradinaj ka thënë se këto janë ditë vendimtare për vendin, ndërsa ka përmendur afatin e 6 tetorit.



