Driton Kuka veçon sukseset e gjeneratës së re, por ngre shqetësime për obligimet ndaj federatës
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, e ka nisur javën me një mesazh ku ka veçuar sukseset e gjeneratës së re të xhudos kosovare, por njëkohësisht ka ngritur shqetësime për problemet që, sipas tij, vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.
Kuka ka publikuar një fotografi nga Ballkaniku U23, i mbajtur në Pejë, ku Kosova ka pasur paraqitje dominuese në konkurrencën me 10 shtete pjesëmarrëse.
“Për një javë të mbarë… Me foton nga Ballkaniku U23 i mbajtur në Pejë ku Kosova dominoi në një konkurrencë prej 10 shteteve pjesëmarrëse ju urojmë fillim të mbarë të javës. Gjenerata e re po del në sipërfaqe duke treguar që ndërrimi i gjeneratave po ndodh me sukses!”, ka shkruar Kuka në “Facebook”.
Megjithatë, Kuka më pas ka ngritur edhe çështjen e përmbushjes së obligimeve ndaj federatës, duke shprehur pakënaqësi për problemet që, sipas tij, vazhdojnë.
“Në anën tjetër… Po hyjmë në 3-mujorin e fundit për pak ditë, por problemet me TM, fjala është në kryerje të obligimeve për federatën, s’po ndalen aspak! Për më tepër, as përgjigje çka po ndodh s’kemi!”, ka shkruar Kuka.



