Ancelotti e humb Raphinhan, braziliani largohet nga grumbullimi dhe kthehet në Barcelonë
Raphinha është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Brazilit dhe është nisur drejt Barcelonës, pas një problemi të lehtë muskulor.
Trajneri Carlo Ancelotti ka humbur një prej lojtarëve kryesorë të tij, por vendimi për lirimin e Raphinhas është marrë kryesisht për arsye parandaluese, pasi Brazili ka përpara vetëm ndeshje miqësore.
“Seleçao” do të përballet me Indinë më 3 tetor, nga ora 16:00.
Raphinha ka pësuar një shqetësim të lehtë muskulor në ndeshjen ndaj Australisë të martën, ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar një edemë të vogël muskulore në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.
Problemi nuk konsiderohet serioz, por për të shmangur rrezikun e përkeqësimit të gjendjes, Raphinha është liruar nga grumbullimi i Kombëtares.
Brazili nuk do ta ftojë një zëvendësues për ndeshjen ndaj Indisë.
Raphinha është zëvendësuar në pushim të ndeshjes kundër Australisë, të cilën Brazili e ka fituar me rezultat 4-2.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka komentuar situatën e Raphinhas në një prononcim për “Tot Costa” në Catalunya Radio.
“Ishte një lajm që na bëri të ndihemi keq. Jemi në pritje të rezultatit të rezonancës magnetike, por e dimë shumë mirë se gjatë këtyre pushimeve të kombëtareve, fatkeqësisht, ndodhin gjëra të tilla”, ka deklaruar Laporta.
Raphinha tani do të rikthehet në Barcelonë, ku do të ndiqet nga stafi mjekësor i klubit për të përcaktuar më saktë gjendjen dhe kohën e rikuperimit.



