Mustafa për Ligjin e Speciales: Mund të kryhet edhe para 6 tetorit, Kurti ka dhënë shenja pozitive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka deklaruar se beson që çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të përfundojë edhe para datës 6 tetor.
“Ne duhet të vazhdojmë procedimin e ligjit për të cilin jemi marrë vesh dhe që tani është në Qeveri, në tavolinën e zotit Kurti. Prioritet në vendin tonë është t’i përgjigjemi sulmit të orkestruar të bllokut të keq mbi mekanizmat dhe institucionet e vendit tonë. Unë e di që mund të bëhet edhe para datës gjashtë, edhe kryeministri po ashtu u shpreh”, ka deklaruar Mustafa.
I pyetur nëse ka sinjale pozitive nga kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë çështje, Mustafa ka pohuar se ka sinjale të tilla.
Mustafa ka folur edhe për një takim që kishte pasur me kryeministrin Kurti para 16 shtatorit.
“Komunikimi që kam pasur me zotin Kurti ka qenë para 16 shtatorit. Ka qenë i mirë, gjë që kemi folur për bashkëpunimin institucional mes Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes, dhe unë e di që ka mundësi të shumta”, ka deklaruar më tej Mustafa në “Tëvë1”.
Mustafa ka thënë se shpresë i jep edhe miratimi i deklaratës së përbashkët lidhur me aktgjykimin dënues në Hagë.



