Rizvanolli: Kosova ofron një treg tërheqës në sektorin e energjisë së gjelbër
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova ofron mundësi për investime në sektorin e energjisë së gjelbër.
Ajo kështu është shprehur në Forumin Kosovë – Luksemburg për Financimin me Ndikim, i cili u fokusua në mobilizimin e investimeve private në Kosovë dhe forcimin e sektorit financiar për të mbështetur financimin e tranzicionit të gjelbër.
“Kosova tashmë ofron një treg tërheqës, transparent dhe të parashikueshëm për investime në sektorin e energjisë së gjelbër”, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se gjatë pesë viteve të fundit është punuar për të hedhur themelet e transformimit të sektorit energjetik. Ajo theksoi se kjo punë udhëhiqet nga dy prioritete qendrore: zgjerimi i prodhimit vendor të energjisë së ripërtërishme dhe përdorimi më efiçientë i energjisë në të gjithë ekonominë.
Në forum kanë marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të fushave përkatëse.



