Vaksinat kundër gripit pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor, IKShPK-ja tregon arsyen e vonesës
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor 2026.
IKShPK-ja ka bërë me dije se vonesa këtë vit është shkaktuar nga ndryshimet në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e hemisferës veriore.
“Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, si dhe në furnizimin e vendeve të rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, ku vaksinat pritet të arrijnë me 21 ditë vonesë nga afati i planifikuar”, ka njoftuar IKShPK-ja.
IKShPK-ja ka theksuar se po e përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe se, pas pranimit të vaksinave, do t’i njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal.
“Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore. IKShPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, ka njoftuar IKShPK-ja



