Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin sesa të votojmë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet, duke kundërshtuar që kjo çështje të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara, raporton “Ekonomia Online”.
Haxhiu ka deklaruar se nuk është për “pazare” për çështjen e presidentit, ndërsa ka thënë se të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet që kanë përpara.
“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra, nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë, po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë, me përgjegjësinë më të lartë që kemi, duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin sesa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, pas zgjedhjes së presidentit do të ketë mundësi që të trajtohet edhe projektligji për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët institucionale.
“Pse po e them këtë? Sepse, në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët. Dhe, për bindjen time, më e qëlluar është strategjia e përbashkët, ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, sesa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se, sipas saj, prioritet duhet të jetë zgjedhja e presidentit, duke argumentuar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente sërish çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Prandaj, prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin, sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne, me vetëdije të plotë, e çojmë vendin në zgjedhje. Dhe sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë, pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë të na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, ka thënë ajo.



