KDI-ja: Presidenti të zgjidhet deri më 4 tetor, ushtrimi i mëtejshëm i detyrës të trajtohet shpejt përmes sqarimit kushtetues
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga partitë parlamentare që të përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e presidentit para 4 tetorit, duke paralajmëruar pasiguri kushtetuese lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës.
Në një konferencë për medie, KDI-ja ka prezantuar analizën “Ushtrimi i detyrës së presidentit përtej gjashtë muajve”, ku është trajtuar situata e krijuar pas mungesës së një Presidenti të zgjedhur.
Eugen Cakolli ka thënë se periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, e cila ka nisur më 4 prill, përfundon më 4 tetor.
Ndërkohë, sipas tij, afati përfundimtar për zgjedhjen e presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është 6 tetori.
“Afati i 6 tetorit përcakton kohën që ka Kuvendi për ta zgjedhur Presidentin dhe pasojën nëse dështon, ndërsa kufiri gjashtëmujor lidhet me kohëzgjatjen e ushtrimit të përkohshëm të përgjegjësive presidenciale”, ka thënë Cakolli.
Ai ka theksuar se zgjedhja dhe betimi i presidentit para 4 tetorit do të shmangte një periudhë në të cilën autoriteti për ushtrimin e përgjegjësive presidenciale mund të bëhet i kontestueshëm.
Cakolli i është referuar edhe deklaratës së përbashkët të rreth 50 organizatave të shoqërisë civile, të publikuar një ditë më parë, përmes së cilës është kërkuar arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.
Sipas tij, dështimi i zgjedhjes së Presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, ndërsa ekziston rreziku që mosmarrëveshja për Presidentin të bartet edhe në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku ka prezantuar vlerësimin e KDI-së se kufiri gjashtëmujor, i përcaktuar në nenin 90, pika 3 të Kushtetutës, e kufizon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të presidentit.
Sipas tij, rizgjedhja e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit më 9 shtator nuk ka krijuar automatikisht një periudhë të re gjashtëmujore, pasi vakanca presidenciale ka vazhduar.
“Rizgjedhja ose ndërrimi i Kryetarit, pa ndërprerjen e vakancës presidenciale, nuk trajtohet si rifillim automatik i afatit”, është shprehur Bugaqku.
Ai ka thënë se mungesa e një mekanizmi të qartë pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave presidenciale.
Kjo çështje, sipas KDI-së, bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin edhe më 6 tetor, pasi shpallja e zgjedhjeve të reja është kompetencë e Presidentit.
Për këtë arsye, KDI-ja ka kërkuar që kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, apo palët e tjera të autorizuara, të shqyrtojnë menjëherë mundësinë e kërkesës për sqarimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së vitit 2011.
KDI-ja ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese, në rast të paraqitjes së një kërkese të tillë, ta trajtojë atë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar, duke marrë parasysh afërsinë e datave 4 dhe 6 tetor.
Sipas KDI-së, ndër çështjet që kërkojnë sqarim janë raporti ndërmjet afatit gjashtëmujor dhe afatit të 6 tetorit, baza dhe kufijtë e ushtrimit të përgjegjësive presidenciale pas 4 tetorit, si dhe autoriteti për shpalljen e zgjedhjeve në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.



