Organizatori i protestës: Nga sot do qëndrojmë në shesh, s’do të ketë qetësi

04 tetor 2026 | 22:23

Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në Sheshin “Skënderbeu”, për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Organizatori i protestës nën moton “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se nga sot do qëndrojnë në shesh, derisa ka kërkuar që Ligji për Gjykatën Speciale të mos kushtëzohet me Presidentin.

Kjo është nata e 19-të që qytetarët janë duke protestuar, që nga dita kur Specialja shpalli aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.

Protestuesit, ndër të tjera, po kërkojnë që të procesohet me Projektligjin për Dhomat e Specializuara.

“Kanë mbetur vetëm edhe 48 orë vetëm dy ditë nga afati i 6 tetorit. Dhe ndërsa ditët e orët kalojnë me shpejtësi të vrullshme, çfarë po bën pushteti ynë? Çfarë po bëjnë institucionet tona?”.

“Çka po bën njeriu, të cilit populli ia dha besimin për të drejtuar këtë vend? Kryeministri po sillet fiks si një tregtar i pandershëm atëherë kur i bie në dorë një thesar i larë me gjak, peshën e të cilit nuk do ta njeh e nuk do ta ndjejë”, tha Çlirim Haziri, organizatori i protestës.

Protestuesit në këtë moment brohoritën “marre”.

“Dëgjojeni mirë këtë “marre”, sepse kjo do të mbetet një njollë e zezë në historinë tonë të politikës”, shtoi Haziri.

Kryeministri, theksoi ai, po e kushtëzon votimin e ligjit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së me votat për zgjedhjen e Presidentit.

“Votojeni këtë Ligj, votojeni pa kushte, pa pazare se rrugë tjetër nuk do të ketë. Do të jemi këtu për ta mbrojtur sakrificën tonë, për ta mbrojtur gjakun e pleqve tonë, dëshmorëve tonë, për ta ruajtur historinë tonë deri në fund”.

Ai njoftoi se ata do të qëndrojnë tërë natën në shesh për t’i pritur deputetët deri në mëngjes.

“E nga sot do të qëndrojmë këtu në këto rrugë e këto rrugë nuk do të kenë qetësi. Nuk do të shkojmë më në shtëpi. Prej sot jemi në këtë shesh, jemi në këtë rrugë bashkë të gjithë. Dhe do të bëhemi edhe më shumë e natën do ta kalojmë këtu e deputetët do t’i presim këtu e institucionet do t’i presim këtu e nuk do të lëvizim nga këtu derisa të na shohin e të na dëgjojnë”.

Se ky pushtet, thotë ai, këto institucione e kjo politikë “nuk njeh gjuhë tjetër, nuk merr vesh ndryshe”.

Pas kësaj, protestuesit janë mbledhur pranë Kuvendit dhe janë duke qëndruar aty.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kërkuar që…