Përmbytje dramatike në Spanjë, një viktimë dhe dëme të mëdha materiale

04 tetor 2026 | 18:42

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje katastrofike në Madrigueras, në juglindje të Spanjës, duke shkaktuar një viktimë dhe dëme të shumta materiale.

Viktima është një grua 102-vjeçare, e cila u gjet e pajetë brenda banesës së saj, ku niveli i ujit kishte kaluar lartësinë prej një metri. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës kanë realizuar operacione të shumta për shpëtimin e rreth 90 personave të cilët mbetën të bllokuar në banesa, ambiente biznesi dhe automjete.

Situata u përkeqësua gjatë ditës së premte, kur në këtë zonë u regjistruan 142 litra reshje për metër katror brenda vetëm dy orësh e gjysmë. Uji përfshiu me shpejtësi rrugët e qytetit, duke marrë përpara automjete e duke shkaktuar dëme të mëdha. Qendra e emergjencave 112 në Castilla-La Mancha regjistroi mbi 150 thirrje për ndihmë.

Gjatë ditës së shtunë, forcat zjarrfikëse, policia, Mbrojtja Civile dhe banorët lokalë kanë vijuar punën në terren për largimin e baltës dhe mbeturinave. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe konfirmoi ndjekjen e situatës nga qeveria, ndërsa autoritetet rajonale kanë njoftuar se do të kërkojnë shpalljen e zonës si zonë e prekur rëndë nga fatkeqësia natyrore për të mundësuar lëvrimin e ndihmave shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Veprimtari dhe organizatori i tubimeve të diasporës në kuadër të…