Qendra e Studentëve shqyrton ankesat për konvikte dhe mensë: Asnjë nuk është gjetur e bazuar
Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar studentët aplikantë për akomodim në konvikte dhe ushqim në mensë, të cilët kishin paraqitur ankesë pas rezultateve të konkursit.
Sipas njoftimit, Komisioni për Ankesa ka shqyrtuar të gjitha ankesat e paraqitura dhe ka konstatuar se asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar e bazuar.
“Pas shqyrtimit të të gjitha ankesave nga Komisioni për Ankesa, është konstatuar se asnjëra nga ankesat e paraqitura nuk ka rezultuar e bazuar”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Studentëve.
Sipas Qendrës, vendimi është marrë në përputhje me dokumentacionin e dorëzuar nga aplikantët dhe kriteret e përcaktuara në Konkursin për Pranim në Konvikte dhe Mensë.
Njoftimi u drejtohet të gjithë studentëve që kanë paraqitur ankesë lidhur me procesin e pranimit në konvikte dhe mensë.



