KDI: Protesta duhet të vazhdojë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat e organizuara në Prishtinë, duke theksuar se artikulimi i kërkesave përmes protestave është pjesë e demokracisë, por kundërshtoi pengimin fizik, kërcënimet dhe përdorimin e dhunës ndaj deputetëve.
Në reagimin publik, KDI ka theksuar se kërkesat për votimin e një ligji mund të shprehen fuqishëm në shesh, por vota e deputetëve duhet të mbetet e lirë.
“Por, të pengosh fizikisht deputetët të hyjnë apo të largohen nga Kuvendi, t’i kërcënosh apo të përdorësh dhunë ndaj tyre, është presion mbi institucionin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas KDI-së, asnjë protestues apo organizatë nuk mund të përcaktojë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet.
“Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet më tej.
KDI u ka bërë thirrje krerëve të subjekteve politike që të dalin para protestuesve, të komunikojnë drejtpërdrejt me ta dhe të marrin përgjegjësinë për qëndrimet e tyre.
Po ashtu, organizatorëve të protestave u ka kërkuar që t’u bëjnë thirrje qytetarëve që protestat të vazhdojnë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve.



