“Koalicioni Shqiptar” dorëzon listën për zgjedhjet në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” ka dorëzuar listën e përbashkët zgjedhore në Komisionin Zgjedhor Republikan të Serbisë, ka njoftuar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në një reagim pas dorëzimit të listës, Kamberi ka falënderuar aktivistët e partive politike për angazhimin, si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për mbështetjen.
Ai ka theksuar se, pavarësisht dallimeve politike, lufta kundër asaj që e cilëson si diskriminim shtetëror ndaj shqiptarëve duhet të shërbejë si pikë bashkimi.
“Në këto zgjedhje, për herë të parë, të gjithë të bashkuar në një listë, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, vazhdojmë betejën me një qëllim të qartë, që e vërteta e Luginës të jehojë sa më fuqishëm”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, bashkimi i subjekteve politike shqiptare krijon mundësi për një përfaqësim më të madh në Kuvendin e Serbisë.
“Kësaj here kemi mundësi reale që të përfaqësohemi me më shumë se një deputet. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum”, është shprehur ai.
Kamberi ka komentuar edhe zhvillimet e mundshme politike në Serbi, duke thënë se qëndrimet e shqiptarëve dhe çështja e diskriminimit ndaj tyre duhet të jenë tema që nuk mund të anashkalohen.
“Le të na prijë e mbara, BASHKË”, ka përfunduar Kamberi.
“Koalicioni Shqiptar” përbëhet nga tetë subjekte politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Marrëveshja për garim të përbashkët është arritur më 29 shtator, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë caktuar për 25 tetor.



