Gruda: Nga dje s’kemi komunikuar me LV-në, tema e ditës është dhuna ndaj qytetarëve mbrëmë

06 tetor 2026 | 10:58

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se nuk ka pasur komunikim me Lëvizjen Vetëvendosje që nga dita e djeshme, ndërsa ka deklaruar se tema kryesore e ditës duhet të jetë dhuna policore gjatë protestës së mbrëmshme.

Gruda i ka bërë këto deklarata para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.

“Nuk ka komunikim prej dje. Tema e sotme, tema e ditës sot, është dhuna e mbrëmshme policore, e paparë në historinë e Kosovës së lirë. Ata që kanë dhënë urdhrin politik dhe ata që kanë ekzekutuar urdhra të tillë për t’i rrahur qytetarët e Kosovës barbarisht, për t’i rrahur barbarisht veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë për të dhënë një për një llogari para ligjit. Dhe kjo shoqëri nuk ka për të lejuar që kjo ngjarje, ku njerëzit dalin për të protestuar për vlerën më kryesore që ky vend e ka, të mbetet pa u adresuar. Të rrihen në mënyrë të tillë dhe të shtypet një protestë kaq fisnike, kaq e rëndësishme për të tashmen, për historinë dhe për të ardhmen, kjo nuk do të mbetet pa u adresuar. Kjo është ajo çka mund të them sot dhe ky është debati i ditës së sotme dhe ditëve në vijim, me të cilin kjo shoqëri do të përballet”, ka deklaruar Gruda.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mundësit nga Kosova kanë shënuar rezultate të mira në Kampionatin…