Kurti kërkoi respektim të rregullit 72-orësh, Hamza: E pasaktë juridikisht, ne kemi kërkuar shmangie të procedurës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas konferencës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ndër të tjera sot ka thënë se, për të votuar Ligjin për Specialen, duhet të respektohet Rregullorja e Kuvendit, e cila parasheh 72 orë ndërmjet dy leximeve.
Hamza ka thënë se kjo është “e pasaktë juridikisht”, pasi, sipas tij, PDK-ja ka kërkuar shmangie të procedurës.
“I referohen rregullores, thotë mes dy leximeve ka nevojë 72 orë. E para, pse 72 orë? Pse e prunën 72 orë? Është e pasaktë juridikisht, e pavërtetë, sepse ne nuk kemi kërku mocion për procedurë të përshpejtuar, ne iu kemi referuar nenit 123 që flet për shmangie të procedurës. Është dallim substancial juridik. Dhe kjo përjashton atë kohën prej 72 orëve. Megjithatë, ligji në qeveri ka qëndruar për ditë, për më shumë ditë. Pse s’e aprovuam të dielën, të shtunën? Me ligj nuk i bëhet favor PDK-së”, ka thënë Hamza.



