Lladrovci: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për trazira

06 tetor 2026 | 10:00

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për marrëveshje dhe unitet politik, duke kërkuar nga liderët dhe vendimmarrësit që të tejkalojnë dallimet dhe të mos e dëmtojnë, siç ka thënë ai, historinë dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Përmes një postimi, Lladrovci ka thënë se për vonesat e krijuara nga pozita dhe opozita nuk mund të gjenden zgjidhje brenda një dite, ndërsa ka kundërshtuar tensionet dhe përdorimin e gazit lotsjellës.

“Kur tërhiqet kerri, gjenden shumë rrugë. Vonesat e paarsyeshme, nga pozita e opozita, nuk përmirësohen për një ditë. Kosova nuk ka nevojë për trazira, hedhje të gazit lotsjellës e as për agresivitetin e njësive tona policore”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka theksuar se, sipas tij, Kosova ka nevojë për marrëveshje mes palëve që kanë interesa të përbashkëta.

“Politika është sport i rëndë, por fleksibil, paqësor dhe dashamirës për forcat që e duan atdheun e kombin”, ka deklaruar ai.

Lladrovci ka bërë thirrje për unitet rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kushtetutës, institucioneve dhe afirmimit të arritjeve të shtetit.

“Domosdo të jemi unik, kudo përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të jemi unik për zbatim të Kushtetutës, për institucione dhe afirmimin e arritjeve të shtetit”, ka shkruar ai.

Në fund, kryetari i Drenasit u ka bërë thirrje vendimmarrësve që të marrin vendime dhe të dëshmojnë përkushtimin ndaj Kosovës dhe vlerave të luftës.

“Liderët krijohen në situata të rënda. Dëshmoni kush ia do të mirën heronjve tanë të luftës dhe paqes, kush ia do të mirën Kosovës”, ka thënë Lladrovci.
“Merruni vesh o hapni krah, mos e lëndoni historinë e shtetit as vlerat mbi të cilat u ndërtua!”, përfundon postimi i tij.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Duke u bazuar në nenin 7 të Udhëzimin Administrativ(MMPHI) Nr.01/2025…