IKD-ja: Njoftimi i Kocit për zgjedhjen e presidentes nuk inicion rast në Kushtetuese
Njoftimi që avokati Arianit Koci ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për moszbatimin e aktgjykimit lidhur me afatin për zgjedhjen e presidentes nuk inicion vetvetiu një rast të ri në këtë gjykatë, vlerëson Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Koci ka njoftuar të mërkurën se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një njoftim lidhur me, siç ka thënë ai, moszbatimin e aktgjykimit për zgjedhjen e presidentes.
Kjo gjykatë kishte përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentes përfundonte më 6 tetor, por votimi për presidente ka përfunduar pas mesnatës, në 00:07.
“Një qytetar apo avokat mund ta njoftojë Gjykatën, por nuk mund të kërkojë në emër të vet vlerësimin abstrakt të kushtetutshmërisë së veprimeve të Kuvendit. Për këtë kërkohen palët e autorizuara nga Kushtetuta, ndër to të paktën dhjetë deputetë të Kuvendit”, ka thënë Jakaj për “Radio Evropa e Lirë”.
Sipas tij, njoftimi i Kocit mund të shërbejë si sinjalizim për moszbatimin e aktgjykimit, por nuk përbën një kërkesë formale që e detyron Gjykatën Kushtetuese të hapë një rast të ri.
Ai ka thënë se, për rastin konkret, mund të kërkohet qartësi edhe nga Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh zhvillimet pas përfundimit të afatit të përcaktuar prej saj.
“Aktgjykimi i kësaj gjykate e kishte përcaktuar qartë se afati për zgjedhjen e Presidentit përfundonte më 6 tetor dhe se procedura duhej të zhvillohej e të përfundohej brenda këtij afati”, ka thënë Jakaj.
“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur Avokatin e Popullit nëse do ta dërgojë çështjen në Kushtetuese, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë qysh dje se kjo parti nuk do të iniciojë rast në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentes pas përfundimit të afatit.
Një vit më parë, Lista Serbe kishte përdorur mundësinë që u jepet deputetëve nga neni 113 i Kushtetutës për t’iu drejtuar Kushtetueses. Kërkesa ishte nënshkruar nga dhjetë deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe dhe një, Adem Hoxha, jashtë kësaj liste.
Ai rast kishte të bënte me procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Deputeti serb i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, pa u propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Çfarë ndodhi më 6 tetor?
Kuvendi i Kosovës e ka nisur procedurën për zgjedhjen e presidentes në orët e vona të 6 tetorit, ditën kur përfundonte afati 60-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Votimi për presidenten ka nisur në orën 23:55. Në orën 00:13 të 7 tetorit, Kuvendi ka shpallur se Justina Shiroka-Pula ishte zgjedhur presidente me 81 vota.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin për rastet KO256/26 dhe KO258/26, kishte konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentes kishte filluar më 8 gusht dhe përfundonte më 6 tetor.
Para votimit, juristë të intervistuar nga “Radio Evropa e Lirë” kishin thënë se procedura për zgjedhjen e presidentes duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ehat Miftaraj nga IKD kishte thënë se, në rast se presidentja nuk zgjidhej brenda këtij afati, pasoja ishte shpërndarja e Kuvendit.
Tani, sipas Jakajt, mbetet e mundur që çështja të kërkojë një vlerësim të Gjykatës Kushtetuese, por njoftimi i Kocit, në vetvete, nuk e nis një procedurë të tillë.



