OVLUÇK-ja i reagon BE-së: Amendamentet për Dhomat e Specializuara nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare

07 tetor 2026 | 15:32

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj deklarimeve të Bashkimit Evropian lidhur me amendamentet e miratuara për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

OVLUÇK-ja ka kundërshtuar pretendimet se ndryshimet e miratuara shkelin detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke i cilësuar ato si të paqëndrueshme dhe të papranueshme.

“Pretendimet e partnerëve tanë të BE-së se amendamentet për Dhomat e Specializuara shkelin vetvetiu detyrimet ndërkombëtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe të papranueshme. Asnjë detyrim nuk mund të lërë asnjë institucion jashtë rendit kushtetues, mbikëqyrjes demokratike apo llogaridhënies”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Sipas organizatës, Dhomat e Specializuara janë krijuar për të shqyrtuar pretendime të caktuara që burojnë nga raporti i Dick Martyt.

“Mandati dhe praktika e tyre kanë devijuar nga ai qëllim, duke e kthyer drejtësinë selektive në aktakuzë të zgjatur kundër luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe luftëtarëve që luftuan në të”, është thënë në reagim.

OVLUÇK-ja ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë për detyrë të mbrojnë sovranitetin shtetëror, barazinë para ligjit dhe dinjitetin e atyre që, sipas saj, kanë fituar lirinë e Kosovës.

“Partnerët tanë duhet të përballen me këtë devijim dhe jo të pengojnë veprimin e ligjshëm parlamentar që e korrigjon atë”, ka përfunduar organizata.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës…