PDK-ja falënderon qytetarët dhe deputetët për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale: Triumf i vendosmërisë dhe kërkesës për drejtësi

07 tetor 2026 | 15:27

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, është shprehur se miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është triumf i një përpjekjeje për drejtësi nga institucionet dhe qytetarët.

Gruda, në një konferencë për media, ka falënderuar deputetët që kanë votuar ligjin, si dhe qytetarët që kanë protestuar për gati tri javë me kërkesën për miratimin e tij.

“Jam sot në këtë konferencë për media, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, për të shprehur mirënjohjen më të thellë për qytetarët e Kosovës, për t’i falënderuar që me ditë të tëra kanë protestuar dhe kanë kërkuar miratimin e ligjit që mbron luftën e drejtë të UÇK-së. Dhe për të falënderuar kolegët deputetë për votimin e ligjit të sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Tani detyra jonë është që, si qytetarë, si institucione, të qëndrojmë prapa çdo rreshti, çdo shkronje të këtij ligji, për ta jetësuar dhe, me këtë, për ta mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së”, ka theksuar ai.

Gruda ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë ta mbrojë UÇK-në dhe, me këtë, edhe të kaluarën e, mbi të gjitha, të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Ky ligj synon të garantojë gjykim të drejtë, të pavarur, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe nuk ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit dhe nuk shkel asnjë detyrim ndërkombëtar që ka marrë Kosova. Gjykata Speciale nuk po mbyllet, por po i sqarohet juridiksioni dhe po garantohet procesi i drejtë gjyqësor”, ka thënë ai.

Tutje, Gruda, në emër të PDK-së, e ka uruar për detyrën e re presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pulën.

“Jemi të bindur që profesoresha e nderuar do ta kryejë këtë detyrë me nder, me përgjegjësi, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Jam i bindur që institucioni i Presidencës është i nderuar ta ketë për presidente zonjën Shiroka-Pula. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrën e saj, në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave dhe lirive të njeriut, respektimit të ligjeve dhe promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në garantimin e unitetit juridiko-kushtetues, siç është definuar qartësisht në Kushtetutën tonë”, ka përfunduar Gruda.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Agron Halilaj shpall të pavlefshme dëftesën e kl. tetë të…