Vinicius kërkon falje pas kartonit të kuq

11 tetor 2026 | 15:08

Vinicius Jr ka kërkuar falje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve të Real Madridit pas kartonit të kuq të marrë në fitoren 1:0 ndaj Villarrealit, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në “Santiago Bernabeu”.

Sulmuesi brazilian hyri në lojë në minutën e 52-të, por vetëm 20 minuta më vonë u përjashtua pas një incidenti me Nathan Saliba, të cilit ia tërhoqi flokët. Fillimisht, Vinícius mendoi se kishte shënuar golin e dytë për madrilenët, por pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua dhe gjyqtari vendosi ta ndëshkonte me karton të kuq.

Pas përfundimit të ndeshjes, braziliani reagoi përmes rrjeteve sociale, duke kërkuar falje për veprimin e tij.

“Më falni, skuadra ime dhe tifozët”, ishte mesazhi i Viníciusit, i cili tashmë duhet të presë vendimin e komisionit disiplinor për ta mësuar kohëzgjatjen e pezullimit.

Sipas rregullores së Federatës Spanjolle të Futbollit, tërheqja e flokëve të kundërshtarit konsiderohet sjellje e dhunshme. Neni 130 parashikon pezullim prej një deri në tri ndeshjesh për sjellje të dhunshme pa shkaktuar lëndim te kundërshtari.

Kjo situatë e vë në rrezik pjesëmarrjen e yllit brazilian në ndeshjen më të shumëpritur të muajit, El Clásicon kundër Barcelonës, që do të zhvillohet më 25 tetor në “Camp Nou”.

Real Madridi në ndeshjet e ardhshme të kampionatit do të përballet me Sevillan, Barcelonën dhe Racing Santanderin. Nëse Vinicius dënohet me dy ose tri ndeshje pezullim, ai do të mungojë në duelin ndaj rivalit të përbetuar.

Për Real Madridin, mungesa e tij në një ndeshje të përmasave të tilla do të ishte një goditje e rëndësishme, ndërsa gjithçka tashmë varet nga vendimi përfundimtar i komisionit disiplinor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Obiliqi, Hani i Elezit dhe Mitrovica janë ndër zonat e…