Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-komandantit të repartit policor në Zveçan
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998-1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe komanduese, në cilësinë e komandantit të Repartit Policor (përbërja rezervë) në këtë komunë, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Po ashtu, sipas PSRK-së, më 29 prill 1999, i pandehuri, së bashku me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar, të organizuar në formacione të strukturuara dhe të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë një operacion për rrethimin e një fshati në Komunën e Zveçanit.
“Gjatë operacionit, u vranë tre (3) banorë civilë, ndërsa shtatë (7) persona të tjerë u rrëmbyen. U dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale. Trupat e gjashtë (6) prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë (7) ende nuk është gjetur. Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim”, është bërë me dije në njoftimin e PSRK-së.



