Në orën 11:00 mbledhje urgjente në Gjilan pas vrasjes së trefishtë
Në orën 11:00 do të mbahet mbledhje urgjente e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pas vrasjes së tre personave në këtë qytet.
Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar Zyra për Media e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Më 10 tetor, një person vrau bashkëshorten e tij 27-vjeçare dhe vëllain e saj 31-vjeçar nga fshati Pozhoran i Vitisë si dhe plagosi rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes, 48 vjeç.
Ndërkaq, të dielën, më 11 tetor, një tjetër vrasje tjetër ndodhi në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar dyshohet se u vra nga babai i tij.
I dyshuari për këtë rast ende gjendet në arrati, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri armë zjarri, 68 fishekë dhe katër gëzhoja.
“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë (pa kafkë), 68 fishekë dhe 4 gëzhoja. I dyshuari gjendet në kërkim policor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.



