Guvernatori Ismaili diskuton me FMN-në reformat për stabilitetin financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatorja, Nesrin Shileku-Shala, zhvilloi takim me Marina Moretti, zëvendësdrejtore e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit (MCM) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), e shoqëruar nga Dirk Jan Grolleman, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, që po mbahen në Bangkok, Tajlandë.
Në takim u diskutua progresi i arritur nga BQK-ja në zbatimin e reformave dhe rekomandimeve të mbështetura përmes asistencës teknike të FMN-së, si dhe prioritetet për avancimin e mëtejmë të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Guvernatori Ismaili prezantoi progresin konkret në zbatimin e SREP-it, përfshirë zhvillimin e treguesve kyç të rrezikut dhe të paralajmërimit të hershëm, automatizimin e proceseve të vlerësimit mbikëqyrës dhe avancimin e Manualit të SREP-it.
Në këtë kontekst, guvernatori Ismaili vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së dhe avancimin e reformave strukturore, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik 2024-2028 dhe standardet ndërkombëtare.
Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu për progresin në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, përfshirë avancimin e projektit për implementimin e sistemit të pagesave të shpejta sipas modelit TIPS Clone, si dhe përgatitjet për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Në përfundim, guvernatori Ismaili, në emër të BQK-së, falënderoi Departamentin MCM për partneritetin, ekspertizën dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke ritheksuar përkushtimin e BQK-së për vazhdimin e bashkëpunimit me FMN-në dhe zbatimin e reformave që forcojnë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar të Republikës së Kosovës.



