Deklarata e Policisë: Sekuestruam një karikator me fishekë luftarakë, që dyshohet se përdorej nga persona të maskuar në protestë
Policia e Shtetit ka publikuar një deklaratë zyrtare, përmes së cilës ka bërë bilancin e gjashtë ditëve të protestave në Tiranë, duke raportuar sulme të vazhdueshme ndaj efektivëve, si dhe dëmtime të institucioneve shtetërore dhe të pronës publike e private.
Sipas Policisë, gjatë ditës së djeshme janë plagosur 37 punonjës policie, ndërsa në Tiranë janë shoqëruar 54 persona, nga të cilët 27 janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht.
Policia ka njoftuar gjithashtu se janë sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov dhe materiale të tjera. Ndërkaq, ka mohuar raportimet për mbërritjen e oficerëve të policive partnere për menaxhimin e protestës.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit, prej gjashtë ditësh, po përballet me sulme të pandërprera që zgjasin me orë të tëra, nga grupe personash të maskuar, të cilët kanë dhunuar punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, pllaka guri, sfera metalike, vida, sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.
Krahas sulmeve ndaj Policisë, këto grupe kanë sulmuar dhe dëmtuar institucione shtetërore, institucione të drejtësisë, institucione bankare, si dhe pronën publike e private.
Njëkohësisht, çdo ditë vijojnë thirrjet, përmes grupeve të hapura në platformat online dhe rrjetet sociale, për vrasjen e punonjësve të Policisë dhe djegien e automjeteve të saj.
Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është marrë një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte persona të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri gjatë sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë.
Përballë kësaj dhune dhe thirrjeve për vrasje, si dhe duke marrë parasysh se edhe ditën e djeshme sulmet ndaj Policisë kanë qenë të paprecedenta, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë.
Për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur, në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e marrë në sallën operative, ekzistonte rrezik për jetën e punonjësve të Policisë.
Njëkohësisht, gjatë ditës së djeshme, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, në zbatim të procedurave standarde dhe në përputhje me shkallën e rrezikut, kanë përdorur në mënyrë të kufizuar pajisjet speciale për menaxhimin e turmave. Kjo ndërhyrje është bërë pasi efektivët janë përballur me sulme me sfera dhe vida metalike, lëndë piroteknike, bomba Molotov, gurë, pllaka guri dhe sende të forta, të cilat kanë dëmtuar dhe kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.
Ligji për tubimet parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në tubim me veshje ose sende të tjera, si maska, shalle dhe veshje të tjera, me qëllim fshehjen e identitetit.
Në rastet kur gjatë tubimeve evidentohen persona që fshehin identitetin në kundërshtim me ligjin dhe ushtrojnë dhunë, Policia e Shtetit vepron në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore përkatëse, duke ndërhyrë për shpërndarjen e tubimit kur plotësohen kushtet ligjore.
Policia thekson se grupet e maskuara dhe të dhunshme janë shpërndarë në disa rrugë të Tiranës, duke djegur pronë publike dhe private, si dhe duke shkatërruar sinjalistikën rrugore.
Njëkohësisht, këto grupe i kanë vënë zjarrin hyrjes së godinës së Gjykatës së Lartë.
Pavarësisht sulmeve të pandërprera, strukturat e Policisë kanë vijuar detyrën dhe kanë shoqëruar 54 shtetas në Tiranë, nga të cilët 27 janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht, pasi janë përfshirë në akte dhune, shkatërrim të pronës dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.
Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov dhe doza kanabisi, si dhe vida, sfera metalike dhe prova të tjera materiale, të cilat, sipas Policisë, janë përdorur nga personat e maskuar dhe të dhunshëm gjatë sulmeve ndaj punonjësve të saj.
Ndërkohë, veprime procedurale janë kryer edhe në Shkodër dhe Vlorë, ku janë proceduar penalisht 19 persona për veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të djeshme në këto dy qytete.
Gjatë ditës së djeshme, si pasojë e sulmeve në Tiranë, janë plagosur 37 punonjës policie.
Policia e Shtetit u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në protesta, pasi jeta e tyre është e rrezikuar.
Policia e Shtetit shpreh mbështetjen për të drejtën kushtetuese për të protestuar dhe për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Ajo u bën thirrje qytetarëve ta ushtrojnë këtë të drejtë, por të distancohen menjëherë nga elementët e dhunshëm, të cilët po rrezikojnë jetën e punonjësve të Policisë dhe të pjesëmarrësve paqësorë në tubim, si dhe po shkatërrojnë pronën publike e private.
Sipas Policisë, të gjithë këta individë, pavarësisht mbulimit të fytyrës, po identifikohen përmes këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore që po kryhen për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Në fund të deklaratës, Policia e Shtetit ka sqaruar se raportimet për mbërritjen e oficerëve nga policitë partnere për menaxhimin e tubimit janë të pavërteta.
Përhapja e këtyre lajmeve, të cilat Policia i cilëson si të pavërteta dhe dashakeqe, synon, sipas saj, të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit ka ritheksuar vendosmërinë për të mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë e qytetarëve dhe pronën publike e private.



