Protesta në Tiranë, lëndohet një gazetare
Ka nisur me veprime të dhunshme protesta e studentëve dhe gjimnazistëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Protestuesit kanë shkulur gurët nga trotuari dhe kanë sulmuar autobotin e policisë dhe policët.
Mediat shqiptare raportojnë se gabimisht është goditur me gurë gazetarja Elira Kadiu nga “Citizens”, e cila për disa momente është parë të ulet në tokë, duke pritur mbërritjen e ambulances, që e ka transportuar pak minuta më vonë në spital.
Gazetarja e cila u qëllua me gurë në pjesën e barkut ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës.
Pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit, protestuesit kanë nisur marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Në ditën e gjashtë të protestave, vijohet të bëhet thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë tha më herët sot se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës që kërkon gjak.
Ministria e Arsimit ka marrë masa shtesë sigurie, duke mbyllur dyert dhe dritaret e godinës me dërrasa, pas incidenteve dhe zjarrvënieve të regjistruara gjatë tubimeve.
Ndërkohë, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë pozicionuar pranë institucionit, në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës.



