Flicku me fjalë të mëdha për Yamalin: Për momentin është lojtari më i mirë në botë
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk i ka kursyer lavdërimet për yllin e skuadrës, Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si lojtarin më të mirë në botë për momentin.
Tekniku gjerman ka shprehur krenarinë e tij për talentin spanjoll, i cili vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të gjigantit katalunas.
“Lamine Yamal është lojtari më i mirë në botë për momentin. Kur e zëvendësova, i thashë: Lamine, jam krenar për ty”, ka deklaruar Flick.
Përveç vlerësimit të lartë për paraqitjet e 18-vjeçarit, trajneri i Barcelonës ka folur edhe për mundësinë që Yamal ta fitojë çmimin prestigjioz “Topi i Artë”.
Flick ka bërë të ditur se do të ishte i lumtur nëse ylli i Barcelonës do ta fitonte këtë çmim, por ka theksuar se objektivi kryesor i klubit mbetet fitimi i trofeve.
“Do të isha i lumtur nëse ai do ta fitonte Topin e Artë. Por ne jemi të përqendruar së bashku në fitimin e titujve, pasi ky është misioni i qartë i Barcelonës”, ka shtuar trajneri gjerman.
Yamal vazhdon të jetë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Barcelonës, ndërsa fjalët e Flickut dëshmojnë besimin e madh që trajneri ka te talenti i ri dhe roli i tij në projektin e klubit katalunas.



