Hetem Ramadani nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Cyrih
Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër ndan titullin e nderit për Hetem Ramadanin, në një ceremoni ku u vlerësuan kontributi i tij humanitar, patriotik, afarist dhe shkencor.
Në Cyrih të Zvicrës u mbajt ceremonia solemne e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për profesorin Hetem Ramadani, organizuar nga Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS).
Ceremonia u hap nga Fadil Çitaku, rektor i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër, i cili mirëpriti të pranishmit në këtë ngjarje të veçantë.
Gjatë mbrëmjes, për figurën dhe kontributin e Hetem Ramadanit folën Prif.dr. Rexhep Gashi i cili e prezantoi edhe temen e vet të doktoraturës ne energjinë e ripërtritshme, sopranoja e njohur Inva Mula, dhe Dr. Salih Sefa, duke ndarë vlerësimet e tyre në një aktivitet që mblodhi personalitete nga fusha të ndryshme.
Pas fjalimeve, ceremonia vijoi me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbenin mendime mbi lidershipin, përgjegjësinë shoqërore dhe rëndësinë e kontributit individual në zhvillimin e shoqërisë.
Sipas organizatorëve, titulli “Doctor Honoris Causa” iu nda profesor Hetem Ramadanit në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e tij humanitare, patriotike, afariste dhe shkencore.
Ngjarja në Cyrih shërbeu si një moment nderimi për të vlerësuar rrugëtimin e Ramadanit, si dhe si një hapësirë bashkëbisedimi mes të pranishmëve mbi vlerat dhe përgjegjësitë që shoqërojnë lidershipin.



