Abdixhiku: Ligjin e kthyet, por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për rishqyrtim, duke kritikuar gjuhën dhe akuzat e drejtuara ndaj partisë së tij.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është fyer dhe është paraqitur si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për shkak të qëndrimit të saj lidhur me këtë ligj.
“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja e ka mbajtur qëndrimin e saj, pavarësisht sulmeve që, sipas tij, pasuan, duke shtuar se përgjegjësia ndaj Republikës kërkon qëndrime të bazuara në bindje dhe jo në presionin e momentit.
Abdixhiku u ka bërë thirrje mbështetësve të LDK-së që të qëndrojnë krenarë, duke thënë se qëndrimet e partisë do t’i qëndrojnë sërish provës së historisë.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, ka përfunduar Abdixhiku.



