Bekim Haxhiu kërkon dorëheqjen e gjithë kryesisë së PDK-së deri në mesnatë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së partisë deri sonte në orën 24:00.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Haxhiu ka kërkuar që Këshilli Drejtues i PDK-së të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të përkohshme, me mandat për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ai ka thënë se me UÇK-në, fatin e krerëve të saj dhe të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike.
“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd”, ka shkruar Haxhiu.
Ai e ka përsëritur kërkesën për dorëheqje të kryesisë dhe mbledhje të Këshillit Drejtues, duke theksuar se është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete.
“Me UÇK-në, me çlirimtarët. UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka përfunduar Haxhiu.



