FSK-ja realizon ushtrimin ndërinstitucional ‘Digital Siege 2026’ për forcimin e sigurisë kibernetike
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin ndërinstitucional “Digital Siege 2026”, me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale dhe forcimit të gatishmërisë për përballimin e incidenteve kibernetike.
Ushtrimi është organizuar nga Njësia e Sinjaleve dhe Kibernetikës, përmes Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike të FSK-së, në bashkëpunim me kompaninë “SimSpace”.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve publike, akademike dhe bankare të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtrimi ka pasur për qëllim testimin e gatishmërisë institucionale për reagim ndaj incidenteve kibernetike, zhvillimin e aftësive profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në fushën e sigurisë kibernetike.
Gjatë ushtrimit, krahas pjesës teorike, janë zhvilluar edhe skenarë të ndryshëm praktikë për trajtimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike.
Përmes këtyre skenarëve, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të angazhohen në simulime që synojnë përmirësimin e reagimit dhe koordinimit përballë kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
FSK-ja ka vlerësuar se ushtrimi “Digital Siege 2026” dëshmon rëndësinë e përgatitjes profesionale, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e sfidave gjithnjë në rritje të sigurisë kibernetike.
“Realizimi i këtij ushtrimi synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të reaguar në mënyrë efektive ndaj incidenteve dhe kërcënimeve kibernetike”, ka njoftuar FSK-ja.



