NJË BURRË QË FLISTE PAK E PUNONTE SHUMË
Prof. dr. Emin Kabashi, Këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës
Kujtimet janë vetëm një pjesë që i japin kuptim jetës së njeriut. Janë, siç thuhet në popull, tharmi i asaj trashëgimie familjare e kombëtare, që nuk zhduket kurrë, edhe kur vjen vdekja e na merr. Edhe Osman Osmanin erdhi vdekja dhe e mori. E mori në gjirin e saj të përjetshëm. Atje, sipas besimit tonë do të takohet me të gjithë, me babanë e tij, që e kishte marrë pas vete që kur ishte fëmijë, kudo, edhe në stacione të milicisë serbe, ku kishte parë shqiptarë të lidhur nëpër pemë, sepse nuk kishin dorëzuar armët. Do të takohet me bashkëshorten e tij të përjetshme, me të cilën ka krijuar një familje të mrekullueshme me katër vajza e një djalë. Do të takohet me të birin e ti të vetëm, i cili në moshën 30 vjeçare e la vetëm babanë e tij, Osmanin, që sot po e përcjellim në banesën e tij të përjetshme. Me mallin e të gjithë këtyre, ai sot pushon i qetë në dheun e vendlindjes së tij, në dheun e këtij atdheu, për të cilin ka dhënë aq shumë, ka bërë aq shumë dhe nuk është ndalur kurrë duke i dalë në ndihmë, deri në frymën e tij të fundit.
Unë e kam njohur vonë familjen Osmani. Por, ama unë jam pjesë e asaj familje. E kam ngrënë bukën e tyre. Kam qenë në shtëpitë e tyre. Kam biseduar natë dhe ditë me të gjithë vëllezërit Osmani. Kam bredhur me Osman Osmanin kudo nëpër tokat shqiptare. Kam dëgjuar me vëmendje secilën fjalë që më ka thënë për rrugët e tij nëpër botë, për ta ndihmuar ardhjen e lirisë për Kosovën dhe ardhjen e demokracisë për Shqipërinë. Ai e dinte, se të dyja nuk bëhen njëherë, nuk bashkoheshin këto pjesë të atdheut, se Evropa dhe bota kishin hallet të tjera, më të mëdha, se padrejtësinë tonë historike që na kishin bërë. Di me shumë saktësi sa ka dhënë kjo familje, shuma të pallogaritshme për mendjet tona, që mendojmë se atdheu bëhet vetëm duke punuar, ose vetëm duke luftuar. Edhe për këtë fakt, unë edhe sot jam pjesë e familjes së Osman Osmanit. Ndaj dhembjen me ta, jam pjesë e durimit të tyre, e po ashtu i mbajë lotët këtu para jush, që të shfryhem kur jam vetëm. Me Osman Osmanin e kam takuar Xho Diogardin, njeriun që kishte hapur dyert e të gjitha institucioneve amerikane, që vendosnin për fatin e lirisë sonë dhe të demokracisë në Shqipëri. Njeriun që arrinte të tubonte deri në 18 senatorë e kongresistë në demonstratat e shqiptarëve kudo nëpër Amerikë. Njeriun, që me vëllezërit Osmani kishte sjellë në Kosovë, në vitet nëntëdhjetë, senatorët Amerikanë, për ta mbështetur lëvizjen për liri të Kosovës, edhe pse pushtuesi serb kishte përdorur dhunë të paparë, por ata nuk kishte mundur t’i ndalonte. Pra, edhe për këtë fakt tjetër, unë jam pjesë e familjes së Osman Osmanit, të cilit sot po ia japim lamtumirën e fundit!
Miku im i shtrenjtë dhe shumë i veçantë, Osman Osmani! Lamtumirë dhe qofsh përjetë i nderuar, kurse në botën tjetër, ashtu siç besojmë në të Madhin Zot, ti do t’i takosh të gjithë të dashurit e tu!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për urtësinë dhe durimin Tënd!
Qoftë i përjetshëm respekti dhe falënderimi për Ty që nuk të kanë lodhur kurrë rrugët e botës për t’i shërbyer atdheut!
Lum si ti që po varrosesh në tokën e atdheut për lirinë e të cilit ke bërë dhe ke dhënë aq shumë!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty dhe veprën tënde atdhetare!
Prishtinë, më 21. 10. 2026



