Musliu: Deputetët duhet ta rishqyrtojnë Ligjin për Specialen nëse kërkohet nga presidentja

22 tetor 2026 | 13:33

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se deputetët duhet ta rishqyrtojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara nëse presidentja e kthen atë në Kuvend, duke theksuar se një veprim i tillë është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Musliu ka vlerësuar se ligji për Dhomat e Specializuara është i një rëndësie të veçantë dhe se deputetët duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, duke kontribuar në procesin e rishqyrtimit të tij.

“Ju e dini shumë mirë që Gjykata Speciale, ose ligji për Dhomat e Specializuara në këtë rast, është një ligj i jashtëzakonshëm, i rëndësisë së jashtëzakonshme, dhe jo vetëm ky ligj, po secili ligj që ka nevojë, qoftë edhe me u riamandamentu, ose me u rishqyrtu, ne si deputetë duhet ta respektojmë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se, në rast se presidentja kërkon që ligji të rishqyrtohet, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në këtë proces, në përputhje me procedurat parlamentare dhe kushtetuese.

“Prandaj, nëse kërkesa është nga presidentja në këtë rast, që ligji duhet të rishqyrtohet, të ri-amandamentohet, do të thotë secili deputet duhet ta japë kontributin. Është brenda Rregullores së Kuvendit edhe brenda Kushtetutës. Domethënë, me Kushtetutë edhe me Rregullore, ne e kemi për obligim me i rishqyrtu sa herë që është kërkesa për t’u rishqyrtuar”, ka thënë Musliu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova…