Macroni do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

21 tetor 2019 | 12:56

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e ardhshëm.

Në komentin e tij publik pas bllokimit të hapjes së negociatave me këto vende, ai është shprehur se do të takohet me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev për të folur për reformat dhe hapat që duhet të bëjnë këto vende.

Me vizitën e tij, Macroni duket se ka për qëllim t’u dëshmojë Shqipërisë dhe Maqedonisë se perspektiva evropiane e këtyre vendeve është e hapur dhe Franca do t’i ndihmojë për të arritur këtë objektiv.

Një burim diplomatik në Tiranë është shprehur për “Top Channel” se ende nuk ka detaje për këtë vizitë, pasi ajo është vendosur së fundmi dhe mbetet ende një premtim në parim.

“Burimi diplomatik konfirmoi se si shenjë të mbështetjes së Francës për Shqipërinë, presidenti Macron ka vendosur hapjen në Tiranë të zyrës të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të zbatojë ndihmën e Francës për projekte zhvillimi në Shqipëri. Me gjasa, ky hap mund të shënojë rritje të ndihmës franceze, e cila deri tani nuk ka qenë donator i rëndësishëm i Shqipërisë. Macroni kishte planifikuar ta vizitonte Shqipërinë fillimisht në vjeshtën e vitit 2018, në një turne Ballkanik, por ky turne u anulua. Macroni vizitoi Serbinë më 16 korrik, pas anulimit të Samitit të Parisit në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë. Edhe këtë herë ai zgjodhi të shmangte Shqipërinë. Duket se reagimi kritik i shumë vendeve evropiane për veton praktike franceze ndaj Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut e ka nxitur Macronin që më në fund t’i vizitojë të dy vendet”, njofton “TCh”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 27 milionë kanadezë do të votojnë sot për të…