22 VJET NGA FLIJIMI I FAMILJES ASLLANI

22 qershor 2020 | 18:10

Shkruan: Lulzim Sahiti

Fundi i korrikut 1998 karakterizohej nga intensifikimi i luftimeve mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Atë botë, forcat serbe kishin bombarduar shumë fshatra e në mesin e tyre edhe fshatin Rancë të Shtimes. Banorët e saj kishin braktisur fshatin për të gjetur strehim në njërin nga pyjet e fshatit Greiçevc të komunës së Suharekës. Njëra nga familjet e fshatit Rancë, ajo Asllani kishte ngritur tendë nga najloni po në këto pyje. Ajo për nevojat e saja herë pas here do të shkonte në fshat porse kohën më të gjatë tashmë e kalonte po brenda kësaj tende të brishtë mes pylli.

Ajo që do të ngjajë kësaj familje, do t’i paraprijnë disa nga ngjarjet jo më pak rëndësi për lexuesin tonë. Në mëngjesin e hershëm, pikërisht në ora 4 e 15 minuta, më 23 gusht 1998, forcat serbe të përqendruara në Qafë të Duhlës do të fillojnë granatimin e zonës ku ishin pozicionuar UÇK-ja dhe për shkak të ndjenjës së sigurisë, edhe popullata civile. Si rrjedhojë e nevojës për përforcime dhe ofrimit të një sigurie më të plotë, komandant Xhemajl Rexha do të shkonte tek pika në Lagjen e Reshanëve (Greiçevc) për të marrë me vete dy ushtarë që ishin roje të këtij vendi, më konkretisht, Hyzri Veliun dhe Islam Ahmetin. Qëllimi i komandantit ishte që bashkë me këta ushtarë të shkonin në Llanishtë (Shtime) për të marrë armatimin në bunker dhe për t’u kthyer e për t’i dalë në ndihmë bashkëluftëtarëve të atakuar tashmë nga forcat serbe. Me të arritur në Llanishtë, fillimisht ndalen te shtëpia e Bajram Zeqirit, ku ishte kuzhina e UÇK-së. Aty, shpejt e shpejt marrin pak bukë në dorë për ngrënë mëngjes dhe së bashku me ushtarë tjerë, vazhdojnë rrugën teposhtë për të marrë armatimin. Në ndërkohë forcave serbe ju dalin në ndihmë edhe forcat tjera të përqendruara në vendin e ashtuquajtur “Pishat e Shtimes”. Nga atje, rreth orës 7:20, do të hedhen dy predha me minahedhës në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Njëra predhë kishte goditur një lis në të majtë të rrugës “Ajet Muçaj” ndërsa tjetra, për fatin e keq, kishte rënë në rrugë afër çlirimtarëve. Si rrjedhojë ishte goditur Xhemal Rasim Rexha (37 vjeçar), komandanti i Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 123. Xhemajl Rexha ishte nga Papazi i Suharekës. Ai ishte plagosur rëndë sa vetëm tri ditë pas ngjarës (23 gusht 1998) pikërisht nga plagët e marra kishte vdekur në fshatin Breshnacë të Suharekës. Po nga ky shpërthim i fuqishëm ishin plagosure rëndë edhe gjashtë luftëtarë të lirisë:

  1. Faik Sh. Muhadini nga Lagjja e Pajtimit,
  2. Hyzri M. Veliu nga Shtimja,
  3. Ibrahim O. Bunjaku nga Shtimja,
  4. Isa Zeqiri nga Llanishti,
  5. Islam M. Ahmeti nga Topilla dhe
  6. Sabit N. Halili nga Shtimja.

Pllakë përkujtimore kushtuar dëshmorit Xhemajl Rexha dhe gjashtë ushtarëve të UÇK-së të plagosur në Llanishtë

Gjatë kësaj dite, ushtarët tanë heroikë te vendi i quajtur “Qafa e Dulës” me armë në dorë kanë mbrojtur vijën e frontit dhe me këtë rast janë plagosur këta çlirimtarë: Ahmet Beqir Reshani, Avdi Sinan Shala nga Ngucati, Besim Hoxha nga Ngucati, Eqerem Morina nga Lubizhda, Isa Bajram Hoxha nga Bellanica, Sadik Ymer Selimi nga Duhla dhe Zenel Krasniqi nga Ngucati.

Sigurisht se të tilla humbje po të kishin kaq shumë trimat dhe trimëreshat e UÇK-së lufta do të kishte marrë një përfundim tjetër, andaj është më se e rrugës dhe e drejt që të rrëfehet edhe për humbjet e palës armike.

Në vendin e quajtur “Qafa e Duhlës”, më 23 gusht 1998, pjesëtarët e UÇK-së me armët e këmbësorisë dhe artilerisë ja kanë arritur të zmbrapsin forcat armike policore duke plagosur rëndë, Vladislav Krivokapić (1966) dhe Stanislav Drinić (1968), ndërsa lehtë do të plagoseshin, Goran Stojanović (1970), Boban Stanković (1973) dhe Ljubiša Cvetković (1970). Gjatë kësaj dite, në këtë zonë forcat e UÇK-së, gjatë luftimeve në fshatin Duhël kishin vrarë pjesëtarin e policisë serbe, Goran Andrić (1975) nga Smederevska Palaka, ndërsa rreth orës 9:00 të mëngjesit sipas të dhënave serbe janë plagosur rëndë nga armët e këmbësorisë, Dušan Barać (1971), kurse lëndime të lehta ka marrë, Rade Milutinov (1971).

Një ditë më vonë, më 24 gusht 1998, UÇK në mbrojtje të pozicioneve dhe të popullsisë, në hyrje të Greiçevcit kanë zhvilluar luftime të ashpra me forcat serbe. Meqë rast janë vrarë edhe dy ushtarë të radhëve të UÇK-së:

  1. Mehmet Daut Lumi (28) nga Bllaca (Suharekë), pjesëtar i Batalionit të Dytë Diversanto-Vëzhgues, pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe
  2. Safet Ilaz Kicaj (21) nga Grejkoci (Suharekë), pjesëtar i Brigadës 123, Batalioni i Dytë në Budakovë.

Heroizmi i dëshmorëve të UÇK-së:  Mehmet Lumi dhe Safet Kicaj të skalitur në monumentin e përjetësisë, në të djathtë të rrugës “Dëshmorët e Greiçecit”

Në ditën e tretë,  më 25 gusht 1998, në të njëtin vend te “Qafa e Duhles” do të vazhdojnë përsëri luftimet e ashpra me forcat armike, ku janë plagosur këta luftëtarë të UÇK-së: Alush Asllan Sertolli nga Bellanica, Fehmi Helshani nga Ngucati, Halil Sahit Kodra nga Çadraku, Halil Shala nga Ngucati, Islam Abedin Helshani nga Ngucati, Ismet Haxhi Trolli nga Dragaqina dhe Remzi Bali Qatani nga Duhla dhe përsëri ka marrë plagë edhe gjatë kësaj dite luftëtari i lirisë, Ahmet Reshani.

Nëpër këto istikame luftëtarët Batalionit të Dytë Diversanto-Vëzhgues pranë SHP të UÇK-së për tri ditë me radhë kanë luftuar kundër forcave armike

Ndërkaq sipas të dhënave serbe në këtë fushëbetejë, gjatë kësaj dite aty kah ora 10:10 forcat e UÇK-së, në Duhël, do të plagosin rëndë pjesëtarin e policisë serbe Nenad Radojčić (1967). Sipas tyre UÇK-ja kishte përdorë minahedhës, granata dore, pushkë automatike dhe bomba dore. Po në këtë ditë, forcat serbe, dikund pasdite, po në “Qafë të Duhles”, ja kishin arritur që ta thyejnë pozicionin e Batalionit të Dytë Diversanto-Vëzhgues, pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që kishte qenë i udhëhequr nga komandant Jetullah Qarri “Guri”. Dhe jo vetëm kaq, forcat serbe edhe ishin nisë përpjetë drejt fshatit Greiçevc. Gjatë natës, forcat serbe kishin shtjerë edhe në drejtim të pyjeve ku ishin strehuar refugjatët shqiptarë.

Mëngjesi i 26 gushtit 1998 do të gdhinte me intensifikimet e të shtënave dhe bombardimeve të forcave serbe. Kjo i kishte detyruar refugjatët të tërhiqen drejt vendit të njohur si “Livadhet e Gata”. Ishte vapë e madhe përcëlluese, përderisa refugjatët ecnin në formë të kolonës. Po në këtë kolonë tashmë ishte në lëvizje edhe familja Asllani. Atë po e bënin me një traktor ‘Fergusan IMT 539’, të cilin po e drejtonte pjesëtari i UÇK-së, Isak Selim Asallani. Me të në kabinë ishte i vëllai Musa Selim Asllani, ndërsa në rimorkio të mbuluar me najlon kishin nënën, bashkëshortet (motra) dhe fëmijët e tyre. Në mesditë, gjersa kolona e refugjatëve kishte arritur “Livadhet e Gata”, forcat serbe nga pozicioni “Qafa e Greiçevcit” hapin zjarr nga tanket në drejtim të kolonës. Një nga predhat godet rimorkion në të cilën gjendeshin familja Asllani. Nga kjo goditje u vranë njëmbëdhjetë civilë, gra e fëmijë:

  1. Jalldyze Murat Asllani (64), Mirenë
  2. Halide Feriz Asllani (36), Majac
  3. Ajshe Feriz Asllani (27), Majac
  4. Burim Isak Asllani (13), Rancë
  5. Lumnije Isak Asllani (12), Rancë
  6. Ejup Isak Asllani (10), Rancë
  7. Luljeta Isak Asllani (7), Rancë
  8. Shpend Isak Asllani (5), Rancë
  9. Xhafer Isak Asllani (3), Rancë
  10. Antigona Isak Asllani (1), Rancë
  11. Albiona Musë Asllani (6 muaj), Rancë

Në këtë rimorkio nga barbarët serbë është shuar jeta e 11 anëtarëve të familjes Asllani

Dhe mbetën të plagosur Isaku në qafë, kurse Musa në shpinë. Afër tyre ishte plagosur rëndë edhe vëllai tjetër Ekrem Selim Asllani, i cili kishte marrë plagë në anën e djathtë të belit dhe në dorën e majtë. Po në këtë vend ishin vrarë edhe dy greiçevas civilë, Sami Asllan Boka (43) dhe Naim Qerim Boka (20).

Por, me gjithë peshën e ngjarës për secilin që kishte pësuar, nuk mund të anashkalojmë edhe për ca detaje që kanë të bëjnë me familjen Asllani. Nga kjo predhë, Isak Selim Asllani, humbi bashkëshorten dhe 7 fëmijët, që të gjithë që kishte. Ai humbi po ashtu edhe nënën. Musa Selim Asllani humbi bashkëshorten dhe fëmijën gjashtë muajsh jetë, të vetmin që kishte.

Për nga humbja, tragjikja, dhembja dhe ndjesia, rrethi i Shtimes, e ndoshta edhe më gjerë, është vështirë të gjejë e të krahasojë edhe një familje si kjo Asllani, e cila në të njëjtën kohë humbi trungun e familjes (nënën) dy shorte (bashkëshortet) të njoma dhe 8 pipa plotë gjallëri (fëmijët).

Në të njëjtën natë, Musa me vëllain Jetullahun, imami Rizah Bungu nga Greiçevci dhe dy bashkëluftëtarë: Muhamet Kadrijaj nga Budakova e Sefë Bungu nga Greiçevci u kthyen te “Livadhet e Gata” dhe i varrosën 11 anëtarët e vrarë të familjes Asllani në afërsi të vendit ku kishin pësuar.

Vlen të përmendet se dy vite më vonë, më 18 tetor 2000, pjesëtarë të KFOR-it i kanë zhvarrosur mbetjet mortore të viktimave dhe i kanë çuar në Institutin për Mjekësinë Ligjore në Rahovec. Pas obduksionit, familjarët i kanë rivarrosur mbetjet mortore të viktimave në vendin e quajtur “Dardhat e gata” një nga vendet e kësaj familje, në fshatin Rancë. Për nder të viktimave është ngritur edhe përmendorja më 26 gusht 2002.

Njëmbëdhjetë varret e familjes Asllani në Rancë

Po ashtu vlen të përmendet se Klaus Kinkel, ministër Punëve të Jashtme të Gjermanisë, bashkë me Rupert Neudeck (Robert Nojdek), udhëheqës i organizatës së njohur humanitare gjermane “Cap Anamur” pas luftës kanë vizituar familjen Asllani në Rancë.

Monument i përjetësisë me emrat e skalitur në mermer të familjes Asllani

Por dita 26 gusht 1998 nuk kishte përfunduar me vrasjen e 11 anëtarëve të familjes Asllani. Atë ditë forcat serbe me të ardhur në fshatin Rancë, pikërisht në shtëpinë e parë që gjendet në krye të Rancës, kanë vrarë edhe plakun Zeqir Asllan Asllani (1900) nga Ranca, veprimtar, bujk e baba i pesë fëmijëve. Familja e tij, kohë më parë kishin braktisur shtëpinë, por plaku 98 vjeçar me vetëdije të plotë kishte refuzuar të largohej nga vendi i tij me gjithë tentimin e vazhdueshëm të djalit të tij Rifatit për ta bindur. Sipas dëshmitarit të vetëm, Hajdin Bislim Bislimi, i mbijetuar nga kjo ditë e keqe, forcat e rregullta ushtarake serbe kishin arritur të hyjnë në Rancë dhe kishin parë Zeqirin së bashku me të. Sipas këtij të fundit, ata sugjeruan që të ikin nga aty meqë sipas tyre do të vijnë forcat tjera paramilitare dhe mund t’i vrasin. Hajdini me të marrë këtë informacion largohet nga vendi i quajtur “Lugu i Zeqirit”, kurse plaku 98-vjeçar nuk tërhiqet. Vërtet forcat paramilitare nuk vonojnë shumë atë ditë dhe parakalojnë nëpër Rancë. Plaku ekzekutohet në vend. Te nesërmen herët në mëngjes pas tërheqjes së tyre, pjesëtarët e UÇK-së: Zymer Kurtishi nga Ranca, Bashkim Beqaj nga Shtimja, Adnan Muharremi nga Zborci, Imer Ahmeti nga Carraleva etj, e kishin gjetur trupin e pajetë të Zeqirit afër shtëpisë së tij. Adnani, tregon se plaku e kishte pasur një vrimë të plumbit në faqe dhe një vijë të prerë me thikë në ballë. Në xhepa kishte pasur një copë bukë furre, konserva “narezak”, të cilat, duket që ia kishin dhënë forcat e rregullta. Ushtarët e UÇK-së do ta varrosin po atë ditë, në të njëjtin vend ku e kishin gjetur.

Varri i plakut 98-vjeçar, Zeqir Asllani i ekzekutuar nga kriminelët serbë

Atë ditë nga sulmet ushtarako-policoro-paramilitare serbe në këtë fshat të vogël u dogjën 25 shtëpi banimi, shkolla dhe shumë objekte tjera ndihmëse.

Krimet ndaj popullatës civile në këtë zonë janë kryer nga grupi luftarak i Ushtrisë Jugosllave që ishte vendosur në Qafë të Duhlës dhe udhëhiqej në terren nga nënkoloneli Dragan Todorović. Ndërsa, ky i fundit vepronte në kuadër të Brigadës 243 të Mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave (UJ) në Ferizaj, të komanduar nga kolonel Krsman Jelić. Për punët operacionale në terren, ishin të angazhuar forcat policore të drejtuara nga shefi i Sekretariatit për Punë të Brendshme në Ferizaj, kolonel Bogoljub Janićević dhe njësitë e policisë së kumunës së Suharekës, të udhëhequr nga komandanti i tyre, Milan Šipka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me interesim shortin e kualifikimeve për “Euro 2022” e ka…