228 të vdekur në Kosovë nga Covidi, spitaleve u ngushtohet hapësira

31 korrik 2020 | 20:35

Kosova ka shënuar sërish shifër të lartë të të vdekurve nga Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 persona, sipas të dhënave të IKShPK-së, kanë vdekur nga Covid-19. Disa orë më pas, edhe një person tjetër ka vdekur në Kamenicë, duke e çuar në 228 numrin e të vdekurve.

Gjithashtu, është shënuar numër i lartë i atyre që kanë rezultuar pozitivë në testet e Institutit. Nga 459 mostrat e marra të IKShPK-së, 226 persona kanë rezultuar pozitivë.

E gjatë 24 orëve të fundit, 115 pacientë janë shëruar. Prishtina vazhdon të jetë në krye të listës me 82 raste të konfirmuara me Covid-19. Më pas janë Komuna e Podujevës me 26 raste, Fushë-Kosova me 18, Mitrovica me 15 raste etj. E të premten, drejtoresha e Klinikës Infektive ka thënë se gjendja e pacientëve që po pranohen në këtë klinikë është e rënduar nga dita në ditë.

Kryeministri i Kosovës, gjatë një vizite që i ka bërë IKShPK-së në festën e kurban bajramit, tha se gjendja me Covid-19 në vend është e rëndë, raporton KTV.

Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka folur për punën dhe shtimin e kapaciteteve të QKUK-së dhe spitaleve rajonale dhe ka bërë me dije se gjendja është shumë e rëndë në të gjitha spitalet në Kosovë, pasi janë shtuar shumë rastet e të infektuarve e të të shtrirëve në spitale.

Të premten ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Spitalin e Gjakovës, nga i cili ka bërë thirrje që situata me koronavirus të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve. Që nga fillimi i korrikut, në Kosovë nga Covid-19 janë infektuar mbi 8 000 persona, kurse mbi 4 578 janë shëruar, ndërsa mbi 3 000 raste mbesin aktive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Niveli i materialit gjenetik të koronavirusit, i zbuluar në hundët…