239 shkencëtarë letër të hapur OBSH: Koronavirusi përhapet edhe nga ajri

06 korrik 2020 | 17:41

239 shkencëtarë nga 32 vende të ndryshme konfirmojnë se coronavirusi përhapet edhe nga ajri. Virusi, sipas tyre mund të qëndrojë pezull në ajër në mjedise të mbyllura dhe kur dikush thith ajrin me virus do të infektohet.

Gazeta “The New York Times” shkruan se shkencëtarët do ti dërgojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë një letër të hapur ku do i kërkojnë të ndryshojë rekomandimet për COVID-19, në mënyrë që të shmangen infeksione të reja.

Deri tani OBSH i është përmbajtur bindjes se virusi përhapet përmes spërklave të sekrecioneve të gojës dhe hundës që çlirohen nga personi i infektuar gjatë teshtimës apo kollitjes, por këto mikro-grimca janë të rënda dhe bien shpejt përdhe.

Pra, nëse një person tjetër qëndron në distancë nuk është në rrezik dhe nëse personi i infektuar mban maskë, stërkalat nuk përhapen në ajër. Por nëse virusi vërtetë përhapet nga ajri, siç shkruan gazeta, me rëndësi të madhe do të jenë masat për ta parandaluar përhapjen.

The New York Times shkruan se shtimi i numrit të infeksioneve pas rihapjes së bizneseve dhe zyrave konfirmon atë që “shumë shkencëtarë e kanë thënë prej muajsh: virusi qëndron pezull në ajër në mjedise të mbyllura duke infektuar personat në këto mjedise”.

Dr. Benedetta Allegranzi, drejtorja teknike e OBSH mbi kontrollin e infeksioneve, tha se provat për përhapjen e virusit nga ajri “nuk janë bindëse”.

“Veçanërisht gjatë muajve të fundit, e kemi përsëritur disa herë që transmetimi nga ajri mbetet si mundësi por nuk ka prova të forta dhe të qarta për këtë”, thotë Dr Allegranzi./Euronews

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësiti i anti kontrabandës në kuadër të Doganës së Kosovës…