257 rekrutë të ushtrisë sonë u certifikuan sot

20 maj 2022 | 12:17

Ceremonia e betimit të 257 ushtarëve të rinj të FSK-së u mbajt të premten në kazermën e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj.

Në këtë ceremoni betimi morën pjesë presidentja Osmani-Sadriu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor, Enver Cikaqi, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade, Irfete Spahiu, drejtori i NALT-it, gjeneral Joachim Hoppe, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralë dhe oficerë të lartë FSK-së, drejtues komunalë, familjarë etj.

Në fjalën e saj drejtuar rekrutëve të rinj, presidentja Osmani-Sadriu, ka theksuar se ndjehet krenare që ushtria e vendit po i shton radhët e saj me vajza dhe djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transformojnë në profesionalizëm.

Ajo ka thënë se detyra e rekrutëve të rinj do të jetë me peshë të madhe dhe fisnike, ajo e mbrojtjes së atdheut.

“Shpresa jonë është e varur tek ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë të na cenohet nga askush”, është shprehur presidentja Osmani-Sadriu, duke shtuar se objektivi ynë është BE-ja, NATO-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilat, sipas saj, e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, krahas forcimit të komponentës së mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij në këtë ceremoni, ka thënë se Ushtria e Republikës së Kosovës po dëshmon çdo ditë që është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, për misione të cilat na presin në të ardhmen, së bashku me ushtritë e vendeve partnere të cilat na kanë përkrahur e ndihmuar vazhdimisht.

Ai ka thënë se investimi në ushtri, blerjet e pajisjeve ushtarake dhe mirëqenia e ushtarëve tanë janë prioritetet e institucioneve të Kosovës. Këto mundësojnë që të kemi forcë të përgatitur, pajisur e të trajnuar sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ai.

Mehaj u ka thënë ushtarëve të rinj se gjatë misionit ushtarak do të keni eprorë e komandantë të ndryshëm, por një do ta kenë të përhershëm e të përjetshëm, komandanti legjendar Adem Jashari.

“Sa herë që rreziqet na kanosen, sa herë që rruga bëhet e mundimshme e sa herë që lypet sakrificë, forcën e guximin e gjejmë tek dëshmorët e kombit”, ka thënë ministri Mehaj.

Ndërsa, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade, Irfete Spahiu, duke iu drejtuar ushtarëve, familjarëve dhe të pranishmëve, ka theksuar se 257 ushtarët e rinj kanë kaluar me sukses të plotë stërvitjen ushtarake bazë. Më pas, ajo i uroi atyre suksese në sfidat e radhës në ushtri, ndërkaq familjarët e tyre i falënderoi për përkrahjen e dhënë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme, Rihanna, ka sjellë në jetë fëmijën e…