Myslimanët shqiptarë që strehuan hebrenjtë

05 mars 2018 | 20:56

Shqipëria, vendi i vetëm me shumicë myslimane në Evropë, ishte gjithashtu kombi i vetëm evropian që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebreje, shkruan një nga faqet më të njohura hebreje “aish.com”.

Yad Vashem (Qendra Botërore Përkujtimore e Holokaustit – WHRC), ka njohur 75 shqiptarë johebrenj.

Duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend i vogël dhe komuniteti hebraik i paraluftës ishte vetëm 200 persona, ky numër është shumë i madh. Një hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte të paktën 10 herë më shumë të ngjarë të shpëtohej në Shqipëri sesa në qendrat e mëdha hebraike si Lituania dhe Polonia.

Shqiptarët gjithashtu shpëtuan qindra refugjatë hebrenj, të cilët erdhën në vend nga Gjermania, Austria, Greqia dhe vende te tjera.

Një burim i kësaj trimërie të pabesueshme në Shqipëri ishte kodi lokal në bazë të të cilit qeveriset edhe sot pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Kanuni është një sistem i lashtë aleancash që ka çuar ne gjakderdhje të tmerrshme dhe dhunë. Por, lufta është vetëm mes burrash; zakonet shqiptare thonë se gratë dhe fëmijët nuk preken.  “Kur shqiptarët panë se nazistët po vrisnin gra dhe fëmijë”, shpjegon Prof. Eliezer Papo, një historian në Universitetin Ben Gurion të Izraelit, ”ata u tmerruan”. “Burrat që vrasin burra të tjerë është pjesë e jetës në traditën shqiptare”, thotë profesor Papo, ”ndërsa vënia e grave në shënjestër është një gjë e shëmtuar”.

Një aspekt tjetër unik i këtij ligji fisnor shqiptar është Kodi i Besës, që kërkon mbrojtjen e miqve.

Shqiptarët, të cilët ndjekin zakonin e Besës, shpesh ishin të gatshëm të bënin çdo gjë, përfshi vënien në rrezik të jetës së tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur miqtë. “Gjermanët sundonin në Shqipëri dhe në çdo pemë apo shtyllë elektrike ne pamë partizanë të varur, pjesa më e madhe të ekzekutuar për të frikësuar njerëzit që ata të mos fshihnin partizanë dhe hebrenj”, kujton Aron Aladjem, i cili u shpëtua së bashku me familjen e tij nga shqiptarë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik dhe hapën shtëpitë për hebrenjtë, raporton “atsh”.

Aron Aladjem ishte 10 vjeç në 1943, kur ai dhe prindërit e tij Nissim dhe Sarah Aladjem ikën nga Bullgaria për të ardhur në Shqipëri. Ata u kapën nga pesë policë shqiptarë të cilët po bashkëpunonin me forcat pushtuese. Por, në vend që t’ia dorëzonin familjen autoriteteve pushtuese, policët shqiptarë i dërguan hebrenjtë e tmerruar te shqiptarët lokalë të cilët i strehuan.

Për vite të tëra, kjo dhe histori të tjera për heroizmin e shqiptarëve kaluan në heshtje. Gjatë viteve të diktaturës komuniste, shumë shqiptarë e patën të vështirë të flisnin për jetën e tyre gjatë luftës. Sot, po bëhen të njohura gjithnjë e më shumë hollësi për shqiptarët të cilët shpëtuan hebrenj. Vesel dhe Fatima Veseli si edhe tre djemtë e tyre Hamidi, Refiku dhe Xhema kanë dëshmuar historinë e tyre të shpëtimit të refugjatëve hebrenj. Përpara luftës, familja punësoi të paktën dy hebrenj dhe që të dy refugjatët ishin nga Jugosllavia. Joseph Ben Joseph, punonte për Hamidin në dyqanin e tij të veshjeve dhe Moshe Mandil punonte për Refikun në studion e tij fotografike. “Me ardhjen e pushtimit gjerman në vitin 1943, të dy familjet hebraike u shpërngulën në shtëpinë e familjes sonë, në Krujë”, kujtoi Hamidi dhe Xhemal Veseli.

Vëllezërit shpjeguan se si funksiononin shpëtimet në atë kohë. “Xhemali i shoqëroi prindërit ditë dhe natë për 36 orë derisa arritën në shtëpinë e familjes tonë. Ne i veshëm ata si fshatarë”, kujton Veseli. “Dy ditë më vonë, ne i transportuam fëmijët në Krujë. Gjatë ditës, më të mëdhenjtë i fshehëm në një shpellë, në malet pranë fshatit tonë. Fëmijët luajtën me fëmijët e tjerë të fshatit. E gjithë lagjja e dinte se ne po strehonim hebrenj. Gjithashtu, kishte edhe familje të tjera hebreje që po strehoheshin në zonë. Një ditë, gjermanët ishin duke kryer kërkime shtëpi më shtëpi për një armë të humbur. Ata nuk e gjetën kurrë armën dhe e ekzekutuan ushtarin që e kishte humbur atë”.

Familja Veseli vazhdoi t’i strehonte dy familjet hebreje për nëntë muaj, deri në përfundim të luftës. Ata kanë ruajtur kontaktet me familjen Mandil që më vonë u zhvendos në Izrael.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në Forcën…