27 nëntori, afati i fundit për apelimin e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë mbetur me vetëm pak ditë në dispozicion për të dorëzuar njoftimet e tyre për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi afati përfundimtar skadon më 27 nëntor.
Kjo datë është vendosur nga Paneli i Apelit më 29 shtator 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes për zgjatjen e afatit. Fillimisht, afati për njoftimet e apelit ishte caktuar për 16 tetor, mirëpo ekipet e mbrojtjes kishin kërkuar shtyrje deri më 15 dhjetor, duke argumentuar kompleksitetin dhe gjatësinë e aktgjykimit, ngarkesën me afate të tjera procedurale, si dhe mungesën e përkthimit të vendimit në gjuhën shqipe.
Paneli i Apelit e miratoi pjesërisht këtë kërkesë, duke dhënë një zgjatje prej gjashtë javësh dhe duke e fiksuar 27 nëntorin si afatin e fundit për të dyja palët. Aktgjykimi i shkallës së parë numëron plot 2 mijë e 89 faqe, duke u cilësuar nga vetë gjykata si vendimi më voluminoz i nxjerrë deri më sot nga Dhomat e Specializuara.
Kujtojmë se më 16 shtator, trupi gjykues i Gjykatës Speciale shpalli fajtorë për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, duke i dënuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, ndërsa të katërt u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky vendim nuk është i formës së prerë dhe i nënshtrohet procedurës së apelit.
Me dorëzimin e njoftimeve deri më 27 nëntor, palët obligohen të specifikojnë pjesët e aktgjykimit që synojnë t’i kontestojnë. Pas këtij hapi, atyre u hapet një afat tjetër prej 60 ditësh për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, ku do të shtjellohen në detaje argumentet ligjore.
Paralelisht me zhvillimet në Hagë, priten lëvizje edhe në nivel institucional në Kosovë. Institucionet e vendit do të punojnë javën e ardhshme në një ligj të ri që përcakton dhe përkufizon dispozitat dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara, ndërkohë që Qeveria tashmë ka themeluar grupin punues shtetëror për apelimin e vendimit të Hagës, i cili deri më tani ka zhvilluar dy takime.



